Zelensky kërkon ndihmë për të burgosurit e luftës
Në muajin maj, kancelari gjerman Olaf Scholz e refuzoi ftesën e Volodymir Zelenskyt për të vizituar Kievin, në përgjigje të kundërshtimit që presidenti ukrainas i bëri vizitës së kreut të shtetit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Megjithatë, dy liderët kanë zhvilluar së fundi një bisedë telefonike, ku sic tha Zelensky, ka biseduar hapur me shefin e ekzekutivit gjerman për shqetësimet e tij lidhur me trajtimin e të burgosurve të luftës nga Rusia. “Diskutova për rritjen e mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën dhe për t’u siguruar për sigurinë globale të ushqimit. Ngrita çështjen e respektimit të ligjeve ndërkombëtare nga ana e Rusisë në trajtimin e të burgosurve të luftës. Theksova rëndësinë për vendimet për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Europian”, tha Zelensky. Zelensky nuk dha detaje të mëtejshme për këtë bisedë. Media shtetërore ruse TASS raportoi një ditë më parë se mbi 1,000 ushtarë ukrainas, të cilët janë dorëzuar në qytetin-port të Mariupolit, tani po mbahen në territorin rus dhe po hetohen. “Mbi 1 mijë luftëtarë nga Azovstali do të transportohen drejt Rusisë. Agjencitë e zbatimit të ligjit po punojnë ngushtë me ta”, tha një burim i TASS. Rusia gjithashtu planifikon që një numër tjetër të burgosurve ukrainas të luftës, të dërgohen në territorin e Rusisë. Autoritetet ruse patën bërë të ditur se ukrainasit do të merren në pyetje, pasi të përfundojnë procedurat e trajtimit mjekësor të disa prej tyre që ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.