Ashpërsohet beteja në frontin lindor, Ukrainës po i mbarojnë municionet
Ndërsa Fronti Lindor është vendosur në një cikël të pamëshirshëm shkëmbimesh artilerie, Ukrainës i mungojnë municionet e nevojshme për të vazhduar duelin e përgjakshëm me Rusinë.
Shumë ekspertë ushtarakë e kanë quajtur një betejë artilerie shkëmbimin e zjarrit midis ushtrive ruse dhe ukrainase në frontin lindor të Ukrainës dhe në rajonin e Donbasit. Shumica e armëve të rënda që posedojnë forcat ukrainase kërkojnë municion të kohës sovjetike. Ukraina kishte rezerva të tyre dhe mori disa nga vendet e Evropës Qendrore, por ato rezerva tani janë duke u pakësuar. Sipas burimeve ukrainase, Rusia gjuan deri në 75,000 predha artilerie në ditë kundër pozicioneve ukrainase. Duhet të theksohet se njësitë e artilerisë ruse operojnë nga qyteti i Kharkovit në verilindje deri në Mykolaev në Ukrainën jugore. Zëvendësshefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës thotë se Ukraina po humbet në vijën e frontit me Rusinë dhe tani do të varet pothuajse vetëm nga armët e furnizuara nga vendet perëndimore për të mbajtur larg Rusinë. Skibitsky tha se Ukraina po gjuante 5,000 deri në 6,000 predha artilerie në ditë dhe municioni pothuajse i kishte mbaruar. “Tani është një luftë artilerie. Gjithçka varet nga ajo që na japin vendet perëndimore," tha Vadym Skibitsky duke shtuar se Ukraina ishte gati të humbiste në aspektin e artilerisë, sepse ky vend posedon një njësi artilerie kundër 10-15 njësive artilerike ruse. Ndërkohë, Pentagoni publikoi së fundmi një raport mbi ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, duke vënë në dukje se Uashingtoni e ka mbështetur Kievin me rreth 5.6 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës. Sipas raportit, ndihma ushtarake e SHBA për Ukrainën përfshin edhe 126 topa të kalibrit 155 mm dhe 260,000 predha artilerie 155 mm. Gjithashtu, Pentagoni njoftoi kohët e fundit se po shqyrtonte dërgimin e të paktën katër dronëve luftarakë MQ-1C për ushtrinë ukrainase, por në minutën e fundit Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo iniciativë. Shqetësimi i komandantëve amerikanë për aksesin e Rusisë në teknologjinë e avancuar të dronit dhe informacionet e ndjeshme thuhet se ishte arsyeja kryesore për anulimin e planit të SHBA. Vitet e fundit, burimet perëndimore kanë raportuar se sistemet ruse të luftës elektronike në Siri kanë bllokuar dronët amerikanë dhe po përpiqen t'i kontrollojnë ata. Pavarësisht mohimit të zyrtarëve amerikanë se dy mercenarë amerikanë u kapën nga Rusia në Ukrainë, burimet amerikane kanë raportuar një fat të ngjashëm për një mercenar të tretë amerikan në Donbass. Bëhet fjalë për marinsin amerikan në pension, Grady Kurpasi, i cili ka vizituar Donbass-in ditët e fundit. Për momentin, komunikimi me marinsin dhe njësinë pjesë e të cilit ai ishte, është ndërprerë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, tha në një konferencë se një ushtar amerikan ishte zhdukur, por deri më tani nuk ka asnjë provë që marinsi është kapur rob nga forcat ruse. Pak ditë më parë dy mercenarë amerikanë Alexander Dryuke, 39 vjeç dhe ish-marinsi amerikan Andy Hyun, 27 vjeç, u kapën në rajonin e Kharkovit si mercenarë që mbërritën në territorin e Ukrainës për të marrë pjesë në luftimet kundër Rusisë.