NATO fton zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën, reagon Rusia
(last modified Wed, 29 Jun 2022 17:15:02 GMT )
Qershor 29, 2022 19:15 Europe/Tirane
  • NATO fton zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën, reagon Rusia

NATO të mërkurën ftoi zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën që t'i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, në një zgjerim historik të bllokut prej 30 anëtarësh, duke shkaktuar reagim të fortë nga Rusia që e quajti atë "një faktor thjesht destabilizues".

"Aderimi i Finlandës dhe Suedisë do t'i bëjë ato më të sigurta, NATO-n më të fortë dhe zonën euro-atlantike më të sigurt. Siguria e Finlandës dhe Suedisë ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për Aleancën, përfshirë gjatë procesit të pranimit," thuhej në deklaratën e përbashkët të krerëve të NATO-s. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov publikoi një reagim të hapur ndaj zhvillimit të ri, duke e quajtur atë një "lëvizje destabilizuese". "Ne e konsiderojmë zgjerimin e aleancës së Atlantikut të Veriut si një faktor thjesht destabilizues në çështjet ndërkombëtare. Ai nuk shton siguri as për ata që po e zgjerojnë atë, as për ata që i bashkohen, as për vendet e tjera që e perceptojnë aleancën si një kërcënim", deklaroi Sergei Ryabkov i cituar nga agjencia ruse e lajmeve Interfax. Moska ka paralajmëruar vazhdimisht kundër zgjerimit të mëtejshëm të aleancës drejt kufijve të saj. Në fjalët e tij muajin e kaluar mbi ofertën e vendeve nordike për t'u bashkuar me NATO-n, Putin tha se zgjerimi i infrastrukturës ushtarake të aleancës në këtë territor "do të provokonte sigurisht përgjigjen tonë".

 

Tags