Gjermania në krizë për gaz
Nisur nga droja se Rusia mund të ndërpresë tërësisht furnizimin me gaz natyror, kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për Energjinë Klaus Mueller, i bëri thirrje popullatës të kursejë energjinë, e të përgatiten për dimrin, periudhë gjatë së cilës përdorimi i gazit rritet.
Mueller u bëri thirrje konsumatorëve familjarë të kontrollojnë dhe rregullojnë kaldajat si dhe radiatorët e gazit për të maksimizuar efikasitetin e tyre. “Mirëmbajtja, mund ta ulë konsumin e gazit me 10% deri në 15%“, tha ai për gazetën gjermane “Funke Mediengruppe”. Apeli vjen ndërsa në fillim të këtij muaji Rusia reduktoi sasinë e gazit që eksporton drejt Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian po hasin në vështirësi për të siguruar sasi rezervë karburanti. Nëse sasia e gazit që vjen nga Rusia “do të ulej për një periudhë më të gjatë kohore, do të na duhet të mendojmë më seriozisht për kursime”, tha kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për Energjinë. Sipas Mueller, në rast të ndërprerjes së furnizimit me gaz, do të mbroheshin fillimisht konsumatorët familjarë sikurse spitalet apo shtëpitë e pleqve. Ai tha se agjencia e tij nuk sheh ndonjë skenar sipas të cilit sasia e gazit që vjen në Gjermani do të ndërpritej tërësisht.