Rindërtimi i Ukrainës kushton 750 miliard $
Kryeministri i Ukrainës Denys Shmygal thotë se kostoja e rindërtimit të vendit të tij mund të arrijë në 750 miliardë dollarë dhe Rusia duhet të paguajë faturën.
“Ne besojmë se burimi kryesor i rimëkëmbjes duhet të jenë asetet e konfiskuara të Rusisë dhe oligarkëve rusë,” tha ai, teksa shtoi se asetet e sekuestruara ruse kapnin vlerën 300-500 miliardë dollarë. “Autoritetet ruse nisën këtë luftë të përgjakshme. Ata shkaktuan këtë shkatërrim masiv dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për të”, shtoi ai. Pas deklaratës së tij, Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha se Rusia duhet të vihet para përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj Ukrainës. Bashkimi Evropian do të krijojë një platformë për të koordinuar përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë, tha të hënën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Platforma do të përdoret për të piketuar nevojat për investime, për të koordinuar veprimet dhe për të kanalizuar burimet, tha presidentja von der Leyen. Platforma do të bashkojë vendet, institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Ajo do të përfshijë gjithashtu organizata ndërkombëtare si Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane të Investimeve. Banka Evropiane e Investimeve, krahu huadhënës i Bashkimit Evropian, po propozon një strukturë financimi të përdorur më parë gjatë pandemisë COVID-19 për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës me deri në 100 miliardë euro investime, njoftoi sot agjencia Reuters.