Rusia kërcënon Lituaninë dhe BE-në
Presidenti rus paralajmëroi të premten se vazhdimi i sanksioneve kundër Rusisë do të ketë pasoja katastrofike për tregjet botërore.
Vladimir Putin shtoi: sanksionet e shpejta ekonomike të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë u përballën me dështim, por këto sanksione kanë sjellë edhe humbje. Gjithashtu, sot Rusia ka paralajmëruar Lituaninë dhe Bashkimin Evropian se mund të marrë “masa të ashpra” ndaj tyre nëse nuk rifillon tranziti i disa mallrave drejt dhe nga enklava ruse e Kaliningradit. “Nëse situata nuk stabilizohet në ditët në vijim, atëherë Rusia do të marrë masa të ashpra kundër Lituanisë dhe BE-së”, tha në një deklaratë Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse. “Çështja ka marrë shumë kohë për t’u zgjidhur”, shtoi ajo. Lituania – e cila është anëtare e NATO-s – ka ndaluar tranzitin e mallrave që i nënshtrohen sanksioneve të BE-së përmes territorit të saj drejt dhe nga enklava baltike. Kaliningrad – një rajon strategjik ku është selia e Flotës Baltike të Rusisë – nuk ka kufi me Rusinë kontinentale.