Lufta në Ukrainë, vërshim i armëve ilegale në Europë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i129806-lufta_në_ukrainë_vërshim_i_armëve_ilegale_në_europë
Ministrat e Brendshëm të BE janë të shqetësuar, se kontrabanda e armëve në Europë do të mbetet një problem për shumë vite, sepse lufta në Ukrainë ka sjellë një fluks të madh armësh ilegale në treg.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 13, 2022 16:18 Europe/Tirane
  • Lufta në Ukrainë, vërshim i armëve ilegale në Europë

Ministrat e Brendshëm të BE janë të shqetësuar, se kontrabanda e armëve në Europë do të mbetet një problem për shumë vite, sepse lufta në Ukrainë ka sjellë një fluks të madh armësh ilegale në treg.

Në krye të listës së rreziqeve potenciale qëndron kontrabanda me njerëz. Por jo më pak e rrezikshme është tregtia me armë, thotë drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, Aija Kalnaja. “Mendoj se ky është një rrezik shumë real. Prandaj jemi prezent në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës. Ne besojmë se aty mbërrijnë armët e kontrabanduara. Jemi të përgatitur për ta ndalur këtë.” Ka informacione prej kohësh, se rrjete të mëparshme kontrabandistësh tani janë përqendruar tek armët, ku përmes luftës në Ukrainë është krijuar një qasje gati pa asnjë kufizim. “Këto armë me shumë gjasë bien në duar kriminale. Këtë e kemi parë në konfliktet në Ballkan. Ende sot aty gjenden armë, që e kanë origjinën në konfliktet e Ballkanit”, tha zëvendësdrejtori i FRONTEX, Lars Gerdes. Por në Ukrainë kemi të bëjmë me shumë më tepër armë dhe më moderne. Tregtia ilegale me to do të mbesë si problem edhe për dekadat e ardhshme, thotë Gerdes. “Këto armë të kontrabanduara do të përdoren me gjasë për kriminalitetin e organizuar apo në rastin më të keq për të furnizuar terroristët.” Në të njëjtën kohë Europa duhet të përgatitet për rritjen e numrit të refugjatëve nga rajone të tjera, sipas ministres zvicerane të migracionit, Karin Keller-Sutter. Zvicra bën pjesë tek vendet e zonës Shengen dhe për këtë arsye ndodhej në takimin e ministrave të  BE. Karin Keller-Sutter tha se sërish kemi shtim të numrit të refugjatëve dhe “presioni i migracionit ndaj Europës është shumë i madh.”