Princi i kurorës saudite i përgjigjet Bidenit
Sundimtari de fakto i Arabisë Saudite, princi i kurorës Mohammed bin Salman, iu kundërpërgjigj presidentit amerikan Joe Biden, pasi ky i fundit e konfrontoi atë për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018 gjatë një takimi mes dy liderëve të premten, sipas një burimi të njohur me këtë çështje.
Në takim, bin Salman, i njohur gjithashtu si MBS, mohoi përgjegjësinë për vrasjen e Khashoggit në konsullatën e mbretërisë saudite në Stamboll. Biden tha se ai tregoi se nuk ishte dakord me të, bazuar në vlerësimet e inteligjencës amerikane. Një raport i inteligjencës së SHBA bënte përgjegjës Princin e Kurorës për vrasjen e Khashoggi në 2018 brenda konsullatës saudite në Stamboll. Në përgjigje të Bidenit që ngriti çështjen e Khashoggit, princi i kurorës saudite përmendi abuzimin seksual dhe fizik të të burgosurve në burgun Abu Ghraib të Irakut nga personeli ushtarak amerikan dhe vrasjen në maj 2022 të gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh në Bregun Perëndimor të pushtuar si incidente që reflektuan keq në SHBA, tha burimi. Princi saudit foli gjithashtu me Biden për vlerat e përbashkëta por shtoi se imponimi i këtyre vlerave ndaj vendeve të tjera mund të kthehet në ‘bumerang’. “Përpjekja për të imponuar këto vlera me forcë mund të japë nje efekt te kundërt, siç ndodhi në Irak e Afganistan, ku SHBA nuk arriti sukses”, thuhej në deklaratën saudite për agjencinë Reuters.