Vala e të nxehtit përvëlon Evropën
Mijëra zjarrfikës po vazhdojnë të luftojnë me zjarret në Portugali, Spanjë dhe Francë, pasi vala e të nxehtit nuk tregon shenja lehtësimi.
Në Portugalinë veriore, një pilot vdiq kur avioni me të cilin ai po transportonte ujë u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjoll. Autoritetet portugeze thonë se të paktën 238 persona kanë vdekur nga të nxehtit gjatë javës së kaluar. Përtej kufirit, zjarrfikësit në Spanjë u përpoqën të frenonin disa zjarre, duke përfshirë dy që dogjën rreth 7,400 hektarë tokë. Rreth 3,000 njerëz u detyruan të evakuoheshin nga fshatrat në Andaluzinë jugore pasi një zjarr u përhap aty pranë. Gjithashtu, për të gjashtën ditë, zjarrfikësit po përpiqeshin gjithashtu të vinin nën kontroll një zjarr të shkaktuar nga një goditje rrufeje në zonën qendrore perëndimore të Las Hurdes. Zjarret po shkatërrojnë zonat e rajonit jugperëndimor të Francës Gironde, ku mbi 12,000 njerëz janë evakuuar. Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha në emetimet e karbonit. Shërbimi francez i motit ka parashikuar temperatura deri në 41 gradë në pjesë të jugut të vendit të dielën dhe rekorde të reja të të nxehtit parashikohen për të hënën. Ndërkohë edhe në Britaninë e madhe, vendi po përgatitet për temperatura rekord. Autoritetet kanë paralajmëruar pasagjerët në kryeqytet që të shmangin të gjitha udhëtimet, përveç atyre thelbësore në këto ditë. Qeveria mbajti një takim urgjent të Cobra të shtunën për të shqyrtuar trajtimin e valës së të nxehtit. Erërat e forta dhe moti i nxehtë dhe i thatë kanë penguar përpjekjet për të shuar një flakë të madhe nëpër pyjet me pisha në Bordo, ndërsa zjarret kanë djegur gjithashtu në Portugali, Spanjë, Greqi, Hungari dhe Kroaci.