Putin: Perëndimi nuk mund ta izolojë Rusinë
Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se Rusia nuk mund të izolohet në komunitetin ndërkombëtar dhe sanksionet kundër Moskës të vendosura nga Perëndimi për konfliktin në Ukrainë nuk do të pengojnë përparimin dhe zhvillimin e vendit.
Putin i bëri komentet të hënën në një video-konferencë me figurat e qeverisë ruse, gjatë së cilës ai tha se pas sanksioneve Rusisë i ishte mohuar plotësisht qasja në produktet e huaja të teknologjisë së lartë. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Rusia ka qenë në shënjestër të një breshërie sanksionesh që synojnë ta izolojnë atë nga ekonomia globale dhe t'i mohojnë aksesin e saj në mallra, duke përfshirë elektronikën komerciale, gjysmëpërçuesit dhe pjesët e avionëve. "Unë e kuptoj se kjo është një detyrë e komplikuar. Të gjithë ne e dimë plotësisht këtë. Dhe është gjithashtu e qartë se ne nuk mund dhe nuk do të jetojmë të izoluar nga pjesa tjetër e botës," tha Putin i cituar nga agjencia ruse e lajmeve TASS. Kreu i shtetit rus nënvizoi se ishte e pamundur që Rusia të shkëputej nga pjesa tjetër e botës. "Natyrisht, ne nuk mund të zhvillohemi të veçuar nga pjesa tjetër e botës. Dhe nuk do ta bëjmë këtë. Është e pamundur në botën e sotme që thjesht të lëshohet një dekret dhe të ngrihet një gardh i madh. Është thjesht e pamundur." "Është e qartë se kjo është një sfidë e madhe për vendin tonë, por ... ne nuk do të dorëzohemi dhe të qëndrojmë në një gjendje rrëmujë ose, siç parashikojnë disa nga 'dashamirësit' tanë, të kthehemi dekada prapa. Sigurisht jo", tha Presidenti rus.