Pasojat e ndërprerjes së energjisë në Angli
Gazeta angleze Telegraph zbuloi se mungesa e energjisë në Angli në muajt e ftohtë të vitit është e sigurt dhe qeveria tashmë është përgatitur që t'u dërgojë qytetarëve paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike në rast të mos kursimit të saj.
Sipas Rusia Today, qeveria britanike ka përgatitur plane për të parandaluar mungesën e energjisë dhe ndërprerjet e shumta të energjisë në stinën e dimrit dhe thuhet se ajo ka vendosur përgjegjësinë kryesore mbi qytetarët e këtij vendi. Gazeta Telegraf në një raport ka zbuluar se qeveria ka përgatitur një plan emergjent energjetik që do t'u kërkojë qytetarëve të vendit të kursejnë energjinë elektrike për të shmangur ndërprerjet në dimër. Në raportin e kësaj gazete thuhet se ky plan do të zbatohet në rast të mungesës së gazit apo energjisë elektrike, por mesa duket mungesa e energjisë në këtë vend është e sigurt pasi qeveria tashmë ka përgatitur njoftime paralajmëruese për t'u dërguar konsumatorëve. Sipas raporteve të publikuara, kriza energjetike dhe kostoja e lartë e jetesës në Angli janë ende problemi dhe shqetësimi kryesor i qytetarëve dhe faturat e familjeve pritet të shkojnë mbi 3300 paund këtë dimër. Rrjeti Kombëtar i Energjisë Elektrike në Mbretërinë e Bashkuar u ka kërkuar industrive të mëdha prodhuese të energjisë elektrike si British Gas dhe Shell të gjejnë mënyra për të ulur kostot dhe faturat e familjeve, por këto kompani thonë se nuk e pranojnë një kërkesë të tillë. Në reagim ndaj operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, Bashkimi Evropian u kërkoi vendeve anëtare të reduktojnë varësinë e tyre nga gazi rus. Çmimi i karburantit dhe energjisë në muajt e fundit është rritur ndjeshëm për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, por në të njëjtën kohë, vendet evropiane ende po kërkojnë alternativa për të kompensuar mungesën e energjisë së importuar nga Rusia. Javën e kaluar Komisioni Evropian u propozoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së që nga shtatori deri në mars të vitit të ardhshëm të ulin konsumin e gazit natyror me 15%. Ky komision tha: Nëse gazi rus ndërpritet plotësisht, rezervat e vendeve evropiane nuk do të mjaftojnë për sezonin e dimrit. Ndërsa Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare të reduktojnë varësinë e tyre nga gazi rus me 15% nga gushti i ardhshëm deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm (2023); Gjermania tashmë ka dhënë alarmin për urgjencën e mungesës së gazit. Gazprom, kompania më e madhe ruse e energjisë, njoftoi se do të nxjerrë jashtë shërbimit një tjetër turbinë përgjatë gazsjellësit Nord Stream 1 për riparime, gjë që do të reduktojë më tej rrjedhën dhe eksportin e gazit në Evropë.