BE i pakënaqur nga regjimi i talebanëve
(last modified Sun, 14 Aug 2022 18:48:38 GMT )
Gusht 14, 2022 20:48 Europe/Tirane
  • BE i pakënaqur nga regjimi i talebanëve

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për çështjet e Afganistanit, Thomas Nicholson, e konsideroi ndihmën e BE-së të kushtëzuar me formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në Afganistan.

Në prag të një vjetorit të mbërritjes së talebanëve në pushtet në Kabul, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Afganistanin theksoi formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në Afganistan si kushtin kryesor për ndihmat e BE-së. Bashkimi Evropian gjithashtu ka akuzuar talebanët se “kanë dështuar të krijojnë një sistem politik gjithëpërfshirës”, në prag të përvjetorit të parë të sundimit të talebanëve. “Popullsia, duke përfshirë grupet etnike dhe fetare, në veçanti popullatën Shiite, po përjetojnë abuzim të institucionalizuar dhe sistematik të të drejtave të tyre ekonomike, sociale, kulturore, civile dhe politike”, tha më 14 gusht, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për çështjet e Jashtme. “Më konkretisht, ata kanë shkelur dhe abuzuar rëndë të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të cilat mbeten të privuara nga arsimi i mesëm, ndërsa kufizimet e reja në kodet e veshjes dhe lëvizjes i kanë përjashtuar ato nga shumica e aspekteve të jetës ekonomike dhe publike”, tha Massrali. Në deklaratë thuhet se nuk ka mekanizëm që mbron gratë dhe vajzat dhe se dhuna në familje është rritur. “Mekanizmat për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe martesat e detyruara janë çmontuar dhe dhuna në familje është në rritje”. Talebanët pushtuan Kabulin më 15 gusht 2021, duke u rikthyer në pushtet në Afganistan gati 20 vjet pasi ata u rrëzuan nga pushtimi i SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Asnjë vend nuk e ka njohur ende sundimin e talebanëve.