Frikë në Europë për dimrin
Gazsjellësi rus drejt Gjermanisë nuk do të rihapet sot ashtu siç ishte planifikuar, njoftoi firma shtetërore e energjisë në Moskë, Gazprom.
Lajmi vjen mes frikës në rritje se familjet në bllokun europian nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ngrohjes këtë dimër. Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe furnizimet e pakta mund ta shtojnë koston edhe më tej. Europa po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse në një përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën, por tranzicioni mund të mos vijë shpejt. Moska, që mohon përdorimin e furnizimeve me energji si armë ekonomike, ia venë fajin sanksioneve të vendosura prej perëndimit pas pushtimit të Ukrainës për vështirësitë e hasura me operacionet dhe mirëmbajtjen e Nord Stream 1. Zyrtarët europianë megjithatë, këtë e shohin thjesht si pretekst. “Kjo është pjesë e luftës psikologjike që Rusia po ndërmerr kundër nesh”, u shpreh Michael Roth, ligjvënës gjerman. Rregullatori i rrjetit të Gjermanisë, Bundesnetzagentur, tha se vendi ishte tani më i përgatitur për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus, por u kërkoi qytetarëve dhe kompanive të shkurtojnë konsumin.