Greqia u përgjigjet kërcënimeve të Erdoganit
(last modified Sun, 04 Sep 2022 05:34:40 GMT )
Shtator 04, 2022 07:34 Europe/Tirane
  • Greqia u përgjigjet kërcënimeve të Erdoganit

Ministria e Jashtme greke me një deklaratë mbrëmjen e së shtunës, duke iu përgjigjur kërcënimeve të presidentit turk theksoi se Greqia nuk do të ndjekë Turqinë në retorikat dhe kërcënimet e egra të përditshme dhe përtej çdo kufiri.

“Ne do t’i informojmë menjëherë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen e deklaratave provokuese të ditëve të fundit, për të bërë të qartë se kush po e rrezikon kohezionin e aleancës sonë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme dhe do të vazhdojmë të operojmë, bazuar në rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit të detit“, thuhet në deklaratë. Retorikat mes dy fqinjëve anëtarë të NATO-s janë të zakonshme, por prej vitit 2020 kur dy vendet erdhën pranë një incidenti të mundshëm ushtarak, kërcënimet mes tyre janë bërë më të ashpra. Para disa ditësh, Turqia ka akuzuar Athinën se sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 të përdorura nga Greqia kishin shënjestruar avionët turq gjatë një fluturimi rutinë mbi detin Egje, ndërsa qeveria greke i ka mohuar akuzat e Ankarasë duke thënë se çdo ditë e më tepër Turqia me avionët e saj shkel hapësirën ajrore greke. Ankaraja akuzon Athinën për militarizimin e ishujve grekë të Egjeut , fakt që qeveria greke e kundërshton, por retorikat e fundit janë akoma më të fuqishme pasi presidenti turk Erdogan tashmë akuzon Greqinë se i ka pushtuar ato. “Ne nuk na intereson pushtimi juaj i ishujve. Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Siç themi gjithmonë: mund të vijmë papritur një natë”, tha të shtunën Rexhep Tayyip Erdogan, Presidenti i Turqisë. Ai u është drejtuar grekëve, duke i paralajmëruar se  do ta paguajnë shtrenjtë  nëse vazhdojnë  të shqetësojnë avionët turq mbi Egje.

 

Tags