Moska: Pa hequr sanksionet, nuk rifillojmë furnizimin me gaz në Evropë
Rusia nuk do të rifillojë plotësisht furnizimet e saj me gaz në Evropë derisa perëndimi të heqë sanksionet kundër Moskës, tha Kremlini.
Duke folur me gazetarët të hënën, Dmitry Peskov zëdhënësi i Kremlinit, fajësoi sanksionet “e vendosura kundër Rusisë nga vendet perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe” për dështimin e Rusisë për të ofruar gaz përmes gazsjellësit Nord Stream 1. “Arsyet e tjera që do të shkaktonin probleme me pompimin nuk ekzistojnë,” u citua Peskov nga agjencia e lajmeve Interfax. Peskov shtoi se rifillimi i plotë i furnizimeve të Rusisë me gaz nëpërmjet Nord Stream 1 ishte “pa dyshim” i varur nga fakti nëse perëndimi do të hiqte sanksionet ndaj Moskës. “Janë këto sanksione të vendosura nga shtetet perëndimore që e kanë sjellë situatën në atë që shohim tani”,- theksoi Peskov. Kremlini vuri në dukje se Moska "kundërshton përpjekjet" e Perëndimit për të "vënë përgjegjësinë dhe fajin" mbi Rusinë. “Është Perëndimi kolektiv – në këtë rast Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Britania – që janë fajtorë për arritjen e situatës në këtë pikë”, tha Peskov. “Natyrisht që jeta po përkeqësohet për njerëzit, biznesmenët dhe kompanitë në Evropë. Natyrisht, njerëzit e zakonshëm në këto vende do të kenë gjithnjë e më shumë pyetje për udhëheqësit e tyre”, shtoi Peskov.