Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë
(last modified Wed, 07 Sep 2022 06:09:48 GMT )
Shtator 07, 2022 08:09 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë

Turqia dhe Greqia janë në tension prej kohësh dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të hapësirës së tyre detare dhe ajrore.

Pak ditë më parë, Greqia njoftoi planin për të vendosur një mburojë mbrojtëse ajrore në ishujt e saj për shkak të shtimit të fluturimeve të avionëve dhe  dronëve turq mbi detin Egje dhe kjo shkaktoi reagimin kritik të Turqisë. Më 30 gusht, Komanda e Forcave Tokësore të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) publikoi një mesazh në turqisht në Twitter, me rastin e 30 gushtit ku uroi 100 vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Turqisë, por pas disa orëve e hoqi këtë postim për shkak të protestës së Greqisë. Më 30 gusht 1922 lufta midis forcave turke dhe greke përfundoi me disfatën e trupave greke dhe pas kësaj, çdo vit në Turqi kjo ditë festohet me emrin Dita e Fitores, por Greqia është kundër kësaj feste. Sipas agjencisë së lajmeve Anatoli, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha: "Heqja e mesazhit të 30 gushtit nga komanda e NATO-s nuk ndikon në marrëdhëniet midis Turqisë dhe NATO-s dhe ekzistenca e NATO-s pa Turqinë nuk mund të imagjinohet, ndërsa Greqia nuk ka vlerë në NATO ". Retorikat mes dy fqinjëve anëtarë të NATO-s janë të zakonshme, por prej vitit 2020 kur dy vendet erdhën pranë një incidenti të mundshëm ushtarak, kërcënimet mes tyre janë bërë më të ashpra. Para disa ditësh, Turqia ka akuzuar Athinën se sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 të përdorura nga Greqia kishin shënjestruar avionët turq gjatë një fluturimi rutinë mbi detin Egje, ndërsa qeveria greke i ka mohuar akuzat e Ankarasë duke thënë se çdo ditë e më tepër Turqia me avionët e saj shkel hapësirën ajrore greke. Ankaraja akuzon Athinën për militarizimin e ishujve grekë të Egjeut , fakt që qeveria greke e kundërshton, por retorikat e fundit janë akoma më të fuqishme pasi presidenti turk Erdogan tashmë akuzon Greqinë se i ka pushtuar ato. “Ne nuk na intereson pushtimi juaj i ishujve. Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Siç themi gjithmonë: mund të vijmë papritur një natë”, tha Rexhep Tayyip Erdogan, Presidenti i Turqisë. Ai u është drejtuar grekëve, duke i paralajmëruar se  do ta paguajnë shtrenjtë  nëse vazhdojnë  të shqetësojnë avionët turq mbi Egje. Ministria e Jashtme greke me një deklaratë, duke iu përgjigjur kërcënimeve të presidentit turk theksoi se Greqia nuk do të ndjekë Turqinë në retorikat dhe kërcënimet e egra të përditshme dhe përtej çdo kufiri. “Ne do t’i informojmë menjëherë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen e deklaratave provokuese të ditëve të fundit, për të bërë të qartë se kush po e rrezikon kohezionin e aleancës sonë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme dhe do të vazhdojmë të operojmë, bazuar në rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit të detit“, thuhet në deklaratë. Ndërsa Ministria greke e Mbrojtjes njoftoi interceptimin e një sërë avionësh luftarakë dhe dronësh të Forcave Ajrore Turke mbi detin Egje. Ministria greke e Mbrojtjes njoftoi të dielën se në 24 orët e fundit janë kryer 57 raste të shkeljeve të hapësirës ajrore nga avionët luftarakë dhe dronët turq. Në vijimësi të tensionit mes Athinës dhe Ankarasë, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Omar Çelik tha se ndërhyrja greke ka pasoja të rrezikshme për avionët turq mbi detin Egje dhe Detin Mesdhe lindor. Omar Çelik paralajmëroi se reagimi ndaj këtyre shkeljeve do të krijojë një situatë që bota nuk e dëshiron. Çelik gjithashtu kritikoi ashpër Perëndimin dhe tha: "Ata që kritikojnë Turqinë për blerjen e sistemit të mbrojtjes raketore S-400 të prodhuar nga Rusia, duhet të protestojnë kundër Greqisë që përdor sistemin raketor S-300 kundër avionëve F-16 turq. Në të njëjtën kohë me kërcënimin në rritje të shkaktuar nga fluturimi i dronëve turq në Detin Egje muajt e fundit, Greqia ka njoftuar gjithashtu planin për të vendosur një mburojë mbrojtëse ajrore në ishujt e saj. Shqetësimi për rritjen e përdorimit të dronëve dhe cenimin e hapësirës ajrore greke është kthyer në një sfidë për Athinën.

 

Tags