Rusia: Nuk do të shesim energji nën çmimin e tregut
Ministri rus i Energjisë, Nikolai Shulginov tha se Moska nuk do t'u shesë gaz ose naftë palëve që vendosin kufij të çmimeve të energjisë.
Departamenti Amerikan i Thesarit theksoi së fundmi se embargoja ndaj importeve të naftës nga Rusia do të vazhdojë pas zbatimit të mekanizmit të çmimeve tavan dhe kërcënoi se do të sanksionojë kompanitë që blejnë naftën e Moskës me çmime të larta.Sipas IRNA, ministri rus i Energjisë Nikolai Shulginov të dielën deklaroi: "Ne sigurisht nuk do ta shesim energjinë me humbje ose nën çmimin e tregut, kjo është e pamundur." "Ky është një lloj konspiracioni karteli kundër nesh dhe ne definitivisht nuk do ta lejojmë një sjellje të tillë”, shtoi ai. Ministrat e ekonomisë të shtatë vendeve të industrializuara, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe Kanadanë, arritën një marrëveshje të premten për të vendosur një çmim tavan për eksportet ruse të naftës. Kremlini ka theksuar tashmë se Rusia nuk do t'i shesë më naftë asnjë vendi që respekton këtë çmim tavan. Ligjvënësi më i lartë i Moskës dhe kryetari i dhomës së ulët të Parlamentit të Rusisë, Vyacheslav Volodin, të premten e kaluar deklaroi se tregu global nuk është i kufizuar në shtatë vende. "Ajo që pushtetarët e G7 e quajnë çmimi tavan do të bëhet një çmim dysheme," tha ai. “Çmimi maksimal i shpallur nga Perëndimi do të bëhet çmimi më minimal i energjisë ruse”, shtoi ai. Volodin tha se vendet e përfshira në këtë program nuk kishin arritur të gjenin një alternativë për energjinë ruse dhe kishin arritur në përfundimin se nuk do të ishin më në gjendje të blinin karburant nga Rusia "me çmim të lirë". Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur sanksione të gjera ndaj Moskës që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi "operacionet e saj speciale" kundër Ukrainës, gjë që ka shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë dhe shumë mallrave bazë në botë.