Fitorja e ekstremistëve të djathtë në zgjedhjet suedeze
(last modified Fri, 16 Sep 2022 05:24:54 GMT )
Shtator 16, 2022 07:24 Europe/Tirane
  • Fitorja e ekstremistëve të djathtë në zgjedhjet suedeze

Qartësimi i rezultatit zgjedhor ka detyruar kryeministren suedeze,  Magdalena Andersson, të japë dorëheqjen.

Me numërimin e 99% të votave, koalicioni i saj i qendrës së majtë ka siguruar 173 vende në parlament, dhe tashmë duket qartazi në rrugën e humbjes përballë bllokut të partive të djathta që numëron 176 vende. Qeverinë tani pritet ta formojë partia e Moderuar e Ulf Kristersson. Blloku fitues përfshin edhe lëvizjen e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, e cila e përqendroi fushatën e saj tek njëri prej problemeve që po shqetësonte më shumë qytetarët e këtij vendi së fundi, rritja e ndjeshme e dhunës së bandave kriminale. Fitorja e krahut të djathtë dhe transformimi i ri politik në Suedi është i paprecedentë dhe historik, sepse asnjë qeveri në këtë vend nuk ka pasur kurrë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë "Demokratët e Suedisë". Mirëpo, me rritjen e interesit publik për këtë parti në të njëjtën kohë me ngritjen e lëvizjeve dhe rrymave të ekstremit të djathtë në Evropë, partia “Demokratët e Suedisë” fitoi 20.6% të votave dhe ishte fituesja e madhe në zgjedhjet parlamentare të këtij vendi dhe tani konsiderohet si partia e dytë politike në Suedi pas të moderuarve konservatorë. Partia "Demokratët e Suedisë", e cila njëzet vjet më parë mori vetëm 1% të votave në zgjedhje, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, për herë të parë kaloi kuorumin zgjedhor prej 4% dhe arriti të bëhet anëtare në Riksdag, organi legjislativ kombëtar dhe organi më i lartë vendimmarrës në vend. Jimmy Axon është lideri i partisë “Demokratët e Suedisë” me agjendë kundër emigracionit dhe mbështetës i nacionalizmit. Me shpalljen e fitores së partisë së tij në këto zgjedhje, ai premtoi se “do të vendosë Suedinë në vend të parë”. E krijuar nga një lëvizje neo-naziste në fund të viteve 1980, partia kundër emigrantëve, Demokratët e Suedisë, hyri në Parlament me 5.7 për qind të votave më 2010, dhe u rrit më pas në 17.5 për qind më 2018. Rezultati përfundimtar pritet të konfirmohet pas rinumërimit të votave, praktikë kjo standarde në Suedi. Suksesi i ekstremistëve të djathtë në zgjedhjet suedeze, i cili u përsërit edhe në zgjedhjet gjermane, ka dhënë edhe një herë alarmin për Bashkimin Evropian dhe liderët evropianë, pasi në fakt një nga çështjet më të rëndësishme në Evropë në dimensionin politik dhe social është rritja e nacionalizmit dhe populizmi, i cili manifestohet nga prania dhe ndikimi në rritje i lëvizjeve dhe partive të ekstremit të djathtë. Ekziston shqetësim për përhapjen e tendencës së ekstremit të djathtë në Gjermani, Itali, Francë, Greqi, Hungari, Austri, Danimarkë, Britani të Madhe dhe tani në Suedi.