Demonstratat e evropianëve kundër valës së pandalshme të rritjes së çmimeve
Në disa qytete të Austrisë, Francës dhe Gjermanisë janë mbajtur demonstrata të qytetarëve që protestojnë për çmimet e larta, veçanërisht për rritjen e çmimit të energjisë.
Rritja e presioneve ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kundër Rusisë në përgjigje të kësaj lufte, kanë shtuar valën e protestave të qytetarëve të vendeve evropiane kundër krizës ekonomike dhe ata kërkojnë uljen e tensioneve dhe kthimin në zgjidhjet diplomatike. Sipas raportimit të rrjetit televiziv Al-Alam të hënën, pjesëmarrësit në këto demonstrata dënuan qasjet e qeverive të tyre përkatëse në lidhje me mënyrën e trajtimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe kërkuan kthim në diplomaci për zgjidhjen e kësaj krize. Në këtë kuadër, dhjetëra mijëra austriakë demonstruan në Vjenë, kryeqytetin e këtij vendi dhe qytete të tjera në shenjë proteste ndaj dështimit të qeverisë për të frenuar rritjen e çmimeve dhe kostove të jetesës. Sipas statistikave, në demonstratën e mbajtur në qendër të Vjenës me ftesë të sindikatave morën pjesë rreth 20 mijë persona, ndërsa rreth 10 mijë protestuan edhe në disa qytete të tjera, përfshirë Linz, Salzburg dhe Insbruk. Në të njëjtën kohë në Francë u mbajtën disa protesta për dënimin e rritjes së çmimit të mallrave, rritjen e normës së inflacionit dhe politikën e qeverisë ndaj krizës në Ukrainë. Në një zhvillim të ngjashëm, protestuesit në Gjermani protestuan për situatën ekonomike, rritjen e çmimeve dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe i kërkuan qeverisë që të përpiqet të ulë normën e inflacionit dhe çmimet e mallrave të konsumit. Ekspertët besojnë se në ditët në vijim do të shohim një rritje të lëvizjeve protestuese në një numër të madh vendesh evropiane dhe kjo pavarësisht përpjekjeve të qeverive të Eurozonës për të ndarë paketa ndihme për qytetarët në mënyrë që të reduktohen pasojat e sanksioneve kundër Moskës.