Turqia kritikon Pelosin për deklaratën lidhur me krizën Armeni-Azerbajxhan
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se deklaratat e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, lidhur me përleshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, ishin “të njëanshme” dhe “sabotojnë përpjekjet për diplomaci”.
Sipas tij, deklaratat e zyrtares amerikane janë të papranueshme. Pelosi, e cila në fundjavën e kaluar qëndroi në Armeni, fajësoi Azerbajxhanin për shpërthimin e luftimeve të reja në kufi me Armeninë, që kanë lënë qindra të vdekur nga të dyja palët. Në Jerevan, ajo deklaroi se Azerbajxhani ishte fajtor “për sulmet e paligjshme dhe vdekjeprurëse” ndaj Armenisë, duke i dënuar këto sulme. Përmes një postimi në Twitter, Oktay i bëri thirrje Uashingtonit që të sqarojë deklaratat e Pelosit, në mënyrë që, sipas tij, ato të reflektojnë pozicionin zyrtar të Shteteve të Bashkuara. Edhe Kremlini tha se “deklaratat pompoze” të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi për përplasjet e fundit në konfliktet kufitare midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, nuk ka gjasa të kontribuojnë në zgjidhjen e tensionit. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të hënën se një "qasje e qetë " ndaj konfliktit kufitar midis dy vendeve do të jepte fryte. Ai shtoi: “Çdo gjë që bëhet në një qasje të qetë mund të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve, stabilizimin e situatës në kufi, e gjithë kjo mund të mirëpritet. A mund të kontribuojnë vërtet veprime dhe deklarata të tilla pompoze në normalizimin e situatës? Le të shohim."