Ministri i Jashtëm iranian takon homologen e tij norvegjeze
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian theksoi se nëse Shtetet e Bashkuara kanë vullnetin e nevojshëm për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.
"Nëse Shtetet e Bashkuara kanë vullnetin e duhur, një marrëveshje është ende e arritshme," tha Amir-Abdollahian në një takim me Ministren e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt në Nju Jork. “Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) duhet të veprojë në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e saj teknike dhe të distancohet nga qasjet politike dhe të dyfishta në lidhje me programin bërthamor paqësor të Iranit”, shtoi ai. Ministri i Jashtëm iranian i tha gjithashtu homologes së tij norvegjeze se Teherani është i gatshëm të zgjerojë kontaktet me Oslon dhe të përcaktojë një rrugë të qartë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Amir-Abdollahian theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve ekzistuese dhe të larmishme të të dy vendeve për përmirësimin e marrëdhënieve. Nga ana e saj, znj. Anniken Huitfeldt tha se Norvegjia është e interesuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ministrja e Jashtme norvegjeze gjithashtu bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit të Oslos me Teheranin. Gjatë takimit, diplomatët e lartë iranianë dhe norvegjezë diskutuan edhe për zhvillimet më të fundit rajonale dhe ndërkombëtare.