Borrell: Putin s`po bën bllof për armët bërthamore
BE-ja për të parën herë ka shprehur hapur shqetësimin mbi kërcënimet e Vladimir Putinit se mund të përdorë armë bërthamore në konfliktin në Ukrainë.
Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së bllokut europian, Josep Borell e pranoi se fjalët e shefit të Kremlinit duhen marrë seriozisht. Komentet e tij erdhën pas njoftimeve se Rusia ka nisur mobilizimin e pjesshëm ushtarake dhe përpjekjet për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës. "Kur njerëzit thonë se nuk po luajnë me bllofin, duhen marrë seriozisht. Duhet gjetur një zgjidhje diplomatike e cila të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, në të kundërt, ne kemi për të pasur një luftë tjetër", tha Josep Borell. Putin tha në fillim të kësaj jave se vendi i tij që disponon armë bërthamore “sigurisht do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion” nëse territori i tij kërcënohet, si dhe për të mbrojtur vendin dhe popullin e tij. Borell i bëri thirrje Putinit që të luajë edhe ai rolin e tij në arritjen e një zgjidhjeje të negociuar të situatës duke i i kujtuar se “duhen dy vetë për të kërcyer tangon”.