Përplasje Turqi-Greqi në asamblenë e OKB-së
(last modified Sat, 24 Sep 2022 18:20:26 GMT )
Shtator 24, 2022 20:20 Europe/Tirane
  • Përplasje Turqi-Greqi në asamblenë e OKB-së

Pas akuzave të presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan se Greqia po kryen krime kundër njerëzimit duke torturuar në Egje emigrantët, si dhe për tensionet ushtarake mes dy vendeve ne Egje dhe Mesdheun Lindor, ka qenë radha e kryeministri grek të kundërpërgjigjet në fjalimin e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara duke akuzuar udhëheqjen e Turqisë për minimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Turqia vë në dyshim sovranitetin grek në Egje ,po ndërton gradualisht një narrativë gjithëpërfshirëse të pretendimeve të rreme, kërcënon Greqinë me një casus belli duke përshkallëzuar një retorikë agresive të shoqëruar me një fushatë masive dezinformuese, ka thënë Mitsotakis: “Nëse presidenti Erdogan dëshiron të flasë për “vijat e kuqe”, atëherë them këtë: pretendimet turke për sovranitetin e ishujve të Greqisë janë të pabaza dhe të papranueshme. Vënia në pikëpyetje e sovranitetit të territorit grek kalon “vijën e kuqe” për të gjithë grekët. Dhe si kryeministër i Greqisë, nuk do të bëj kurrë kompromis për asgjë që ka të bëjë me integritetin territorial, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tim. Greqia nuk do të shantazhohet nga askush”. Sa i përket situatës tragjike të emigrantëve në Egje, Mitsotakis ka theksuar se Turqia  ka instrumentalizuar emigracionin nga marsi i vitit 2020, kur në mënyrë aktive inkurajoi dhe lehtësoi dhjetëra mijëra njerëz të dëshpëruar të kalonin ilegalisht në Greqi për të ushtruar presion mbi Bashkimin Europian.

 

Tags