Pse sulmi i regjimit sionist ndaj Iranit solli efekt të kundërt?
(last modified Thu, 03 Jul 2025 09:18:45 GMT )
Korrik 03, 2025 11:18 Europe/Tirane
  • Pse sulmi i regjimit sionist ndaj Iranit solli efekt të kundërt?

ParsToday - Një revistë amerikane në një artikull trajtoi arsyet e dështimit të regjimit sionist ndaj Iranit në luftën 12-ditore.

Revista amerikane Foreign Policy, të martën shkruan se lufta e fundit midis regjimit sionist dhe Iranit pati rezultate të kundërta për Tel Aviv-in dhe ky regjim dështoi në realizimin e objektivave strategjike.

Sipas ParsToday, në këtë artikull thuhet: Lufta nisi me sulmin e gjerë izraelit, përfshirë operacione sekrete dhe sulme ajrore ndaj objekteve iraniane, por Irani iu përgjigj shpejt me sulme raketore ndaj Izraelit dhe bazave amerikane, duke shkaktuar një tension serioz rajonal. Kështu, Irani u dërgoi një mesazh palëve kundërshtare se është në gjendje të eskalojë situatën edhe jashtë kufijve të vet.

Revista amerikane shton se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve izraelitë, nuk ka raportime të dëmtimeve të drejtpërdrejta në programin bërthamor të Iranit dhe sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore, objektet kryesore të zhvillimit të këtij programi janë të paprekura. Gjithashtu, Izraeli nuk arriti qëllimin e tij për "dobësimin e kapacitetit mbrojtës të Iranit".

Foreign Policy shkruan gjithashtu se Parlamenti iranian, si reagim ndaj sulmeve, miratoi pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe ndoqi strategjinë e paqartësisë bërthamore, e cila është e ngjashme me qëndrimin që Izraeli ka ndjekur prej kohësh duke refuzuar të japë shpjegime për fuqinë e tij bërthamore dhe duke penguar hyrjen e inspektorëve.

Fuqia raketore e Iranit

Sipas kësaj mediaje, ndërsa rezultati bërthamor i sulmit nuk është i qartë, kapaciteti raketor i Iranit u bë i dukshëm. Raketat balistike arritën të kalojnë sistemet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, duke goditur baza ushtarake, seli të inteligjencës, rafineri nafte dhe qendra kërkimore.

Foreign Policy raporton se pas sulmeve hakmarrëse të Iranit, "aeroportet, veçanërisht Ben Gurion, u mbyllën, ekonomia izraelite u ndalua dhe sipas vlerësimeve Izraeli përdori të paktën 500 milionë dollarë për raketat interceptuese amerikane THAAD. Megjithëse qendra e censurës izraelite pengoi mediat dhe raportimin, u regjistruan mbi 41,000 kërkesa për kompensim gjatë kësaj lufte."

Steve Bannon, këshilltari i mëparshëm i Trump-it, deklaroi qartë se ndalimi i luftës është i nevojshëm për shpëtimin e Izraelit dhe se Izraeli ka mungesë të mbrojtjes ajrore. Trump gjithashtu pranoi se Izraeli ka pësuar dëme të mëdha.

Forcimi i nacionalizmit iranian

Revista amerikane shkruan më tej se lufta midis Iranit dhe Izraelit pati pasoja sociale të papritura brenda Iranit dhe përkundrazi nga pritshmëritë perëndimore, në vend që të ndezte zjarret e ndryshimeve politike apo rrëzimin e regjimit, rriti ndjenjat nacionaliste dhe unitetin kombëtar.

Kjo luftë jo vetëm që nuk tronditi stabilitetin e brendshëm të Iranit, por forcoi solidaritetin midis popullit dhe zemërimi ndaj sulmit izraelit çoi në një mobilizim të gjerë kombëtar që përfshiu grupe të ndryshme shoqërore, nga artistët e deri tek sportistët, fetarët dhe madje edhe brezi  i ri.

Sipas raportit, iranianët u përgjigjën ndaj sulmeve të Izraelit duke ndihmuar ata që humbën shtëpitë e tyre dhe kjo rriti ndjenjën e përgjegjësisë sociale. Pamjet e vdekjeve të fëmijëve, mjekëve dhe civilëve forcuan besimin se qëllimi i luftës nuk ishte liria e tyre, por shkatërrimi i vendit të tyre.

Foreign Policy përfundon duke thënë se ndërsa Izraeli kishte llogaritur që kjo luftë do të çonte në rrëzimin e regjimit në Iran, rezultatet ishin krejt të kundërta. Në vend që të dobësonte Iranin, lufta ekspozoi dobësitë e Izraelit në arritjen e objektivave të tij dhe luajti një rol të rëndësishëm në forcimin e solidaritetit të brendshëm iranian.