Liz Truss, kryeministrja më jetëshkurtër e Britanisë
(last modified Thu, 20 Oct 2022 18:14:37 GMT )
Tetor 20, 2022 20:14 Europe/Tirane
  • Liz Truss, kryeministrja më jetëshkurtër e Britanisë

Niveli i kaosit në qeveri, parlament dhe në Partinë Konservatore e kanë çuar Liz Truss, në një pikë ku ajo nuk mund të vazhdojë më gjatë.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, ka dhënë dorëheqjen vetëm 45 ditë pasi mori në dorë frerët e pushtetit në vend, situatë kjo e paprecedentë në politikën britanike. Ky është një ndryshim shumë i shpejtë ndërsa pikëpyetja më e madhe tashmë, është nëse Partia Konservatore mund të bashkohet me një lider të ri apo të zhvillohen zgjedhjet të reja. Erdha në detyrë në një kohë të paqëndrueshme ekonomike dhe politike. U zgjodha nga konservatorët për ta ndryshuar këtë situatë. Duke parë situatën, unë nuk mund të përmbush mandatin me te cilin konservatorët më besuan. Do të qëndroj deri në detyre deri sa të zgjidhet një pasues tjetër.”- ishin fjalët që tha Liz Truss në një fjalim shumë të shkurtër teksa deklaroi dorëheqjen. Problemet e para filluan kur kancelari i saj i parë, Kwasi Kwarteng, tronditi tregjet financiare me mini-buxhetin e tij më 23 shtator. Që atëherë, shqetësimi i konservatorëve është shndërruar në zemërim të gjerë brenda partisë parlamentare. Kaosi dhe tollovia që shkaktuan politikat ekonomike dhe fiskale të kryeministres  Truss e shoqëruar me arrogancë dhe mosnjohjen e temperaturës së britanikeve, si dhe lodhja dhe lufta e brendshme mes fraksioneve nga 12 vjet në pushtet e partisë konservatore, që tashmë sillen si pulë pa kokë, kanë bërë që sterlina angleze të bjerë në javët e fundit, dhe xhepi i britanikeve te goditet ashpër, kur sapo ka filluar të kafshoje kriza ekonominë britanike. Sa për ilustrim, një britanik qe ka një kredi imobilare do duhet të paguaj që nga ardhja e Liz Truss në pushtet rreth 500 sterlina me shumë për shlyerjen e kredisë. Konservatorët ndodhen momentalisht 36 pikë pas laburistëve të opozitës,  diferencë që do i sillte këta të fundit në pushtet me një fitore më të thellë se ajo e Toni Blair në 1997-ën. Konservatorët kanë humbur imazhin e një partie që ishte kompetente në menaxhimin e ekonomisë. Gara për kryeministrin e ri fillon që sot dhe brenda fundjavës se javës tjetër deputetët konservator dhe jo më anëtarësia do duhet të zgjedhin, një ndër radhët e tyre. Por ky ka për të qenë një mision shumë i vështirë dhe varet, nëse deputetët konservatorë do vendosin interesin kombëtar përpara atij personal për të lënë mënjane egot e forta në radhët e tyre për gjetjen e një figure kompromisi. Liz Truss bëhet kështu kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Britanisë së Madhe, duke dhënë dorëheqjen vetëm gjashtë javë pasi mori detyrën. Ka pak shpresë për momentin nëse një kalë i ri që do tërheq karrocën e konservatorëve do jetë aq i fortë sa të kalojë furtunën ekonomike dhe financiare të këtij dimri, apo vendi do shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat  kërkon opozita e cila sipas udhëheqësit të saj Sir Kier Stammer, “konservatorët nuk  kanë mandate për një eksperiment tjetër. Britania nuk është prona e tyre personale, që ata mund ta administrojnë  sipas qejfit të tyre”.

 

Tags