Synimi i Polonisë për të ndërtuar një mur në kufirin rus
Polonia planifikon të ndërtojë një mur 200 km të gjatë në kufirin e saj me Rusinë, i cili do të jetë i pajisur me sensorë lëvizjeje dhe kamera.
Rusia thotë se ndërtimi i një muri të tillë është "marrëzi". Sipas kanalit Sky News, Polonia po shqyrton ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Rusinë për të parandaluar hyrjen e emigrantëve afrikanë dhe aziatikë. Varshava pretendon se Moska mund t'i përdorë ata në fushatën e "luftës hibride" të Rusisë. Lufta hibride është një strategji ushtarake që është një ndërthurje e luftërave politike, klasike, të parregullta, virtuale, lajmeve të rreme, diplomacisë, ndërhyrjeve në zgjedhjet e vendeve të huaja, prishja e strukturës demografike, pranimit të emigracionit, sulmit kulturor, krijimit të konfliktit fetar etj. Ndërsa tensionet rriten për luftën në Ukrainë, Polonia ka frikë nga një përsëritje e krizës së vitit 2021. Kriza ndodhi kur mijëra emigrantë afrikanë dhe të Lindjes së Mesme u përpoqën të kalonin kufirin nga Bjellorusia për në Poloni. Krzysztof Sobolewski, një zyrtar i lartë polak i cili është sekretar i përgjithshëm i partisë në pushtet 'Ligj dhe Drejtësi', tha se autoritetet polake po konsiderojnë ndërtimin e një muri në kufirin me provincën Kaliningrad në Rusinë perëndimore. Një mur i ngjashëm me këtë u ndërtua në kufirin e Bjellorusisë. Më shumë emigrantë nga Kaliningradi pritet të përpiqen të shkojnë në Poloni në të ardhmen, shtoi Sobolevsky. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e cilësoi ndërtimin e barrierave të tilla kufitare si një "marrëzi". Ai në një konferencë shtypi në Moskë tha: "Historia çdo herë dëshmon marrëzinë e vendimeve për të ndërtuar mure, sepse me kalimin e viteve ose dekadave, të gjitha muret shemben." Polonia ka ndërtuar një pengesë çeliku me lartësi 5.5 metra e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe kamera, e cila shtrihet rreth 187 km përgjatë kufirit të Bjellorusisë. Roja Kufitare Polake njoftoi se do të zgjedhë një kompani për të ndërtuar murin e Kaliningradit deri në fillim të dhjetorit. Sipas një agjencie shtetërore polake të lajmeve, ky sistem do të ndërtohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe do të mbulojë rreth 200 kilometra të kufirit polak me Rusinë.