BB: Ndihma për faturat e energjisë do të kushtojë shumë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i133944-bb_ndihma_për_faturat_e_energjisë_do_të_kushtojë_shumë
Banka Botërore ka paralajmëruar se qeverive u kushton shumë shtrenjtë që t’i ndihmojnë secilit, për shkak të rritjes së faturave të energjisë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Tetor 26, 2022 20:20 Europe/Tirane
  • BB: Ndihma për faturat e energjisë do të kushtojë shumë

Banka Botërore ka paralajmëruar se qeverive u kushton shumë shtrenjtë që t’i ndihmojnë secilit, për shkak të rritjes së faturave të energjisë.

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka thënë se skemat për mbështetje në kohën e pandemisë së koronavirusit nuk kanë ndihmuar më të cënueshmit dhe se shlyerja e borxhit do të zgjasë me dekada. Sipas tij, politika të ngjashme janë duke u miratuar për t’iu ndihmuar njerëzve me rritjen e çmimeve të energjisë. “Qeveritë janë duke thënë se do të kujdesemi për secilin, diçka që do të jetë shumë e shtrenjtë”, ka thënë ai. Instituti për Financa Ndërkombëtare, ka thënë se borxhi global gjatë këtij viti ka arritur në 305 trilionë dollarë dhe pritet të rritet edhe më shumë. Lufta e Rusisë në Ukrainë është duke shkaktuar rritje të mëtejme të çmimeve të energjisë. Nëpër gjithë Evropën, qeveritë janë duke prezantuar masa për t’iu ndihmuar ekonomive familjare teksa përballen me rritje të tilla të çmimeve të energjisë. Kriza energjitike vjen në kohën kur qeveritë tashmë kanë borxhe të mëdha për të paguar. Malpass ka thënë se është i shqetësuar se ndihma shtesë do të ndikojë në rritjen edhe më të madhe të inflacionit. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që inflacioni global të ketë pikun në 9.5 për qind dhe se kjo shifër nuk do të nisë të ulet deri më vitin 2024.