Kriza energjetike përshpejton eksodin e kompanive nga Evropa
Me luftën në Ukrainë që ka gjeneruar një paqëndrueshmëri të konsiderueshme në tregjet e energjisë, prodhuesi i barnave Teva ka paralajmëruar se rritja e kostove të energjisë në Evropë rrezikon të përshpejtojë një eksod të kompanive që kanë një rol kritik në prodhimin e ilaçeve thelbësore.
Teva shkroi në një raport të enjten se tani lufta në Ukrainë dhe krizat energjetike dhe ekonomike që lidhen me të kërcënojnë të "shkatërrojnë sektorin farmaceutik të kontinentit për disa ilaçe kritike". Raporti theksoi mungesat e fundit të tamoxifenit, një përbërës aktiv i përdorur në një terapi kyçe të kancerit të gjirit, në Gjermani. Prodhuesi i vetëm i përbërësve farmaceutikë aktivë (API) të tamoxifenit në Evropë e ndaloi prodhimin sepse ishte bërë joekonomik. Kjo i la prodhuesit evropianë të ilaçeve pa asnjë burim furnizimi evropian dhe vetëm disa furnizues në Azi. Paracetamoli është një tjetër rast i rëndësishëm, shtuan zyrtarët e Teva. Fabrika e fundit evropiane e barnave që prodhoi paracetamol u mbyll në vitin 2008. Ilaçet esenciale janë vendimtare në trajtimin e sëmundjeve afatgjata, si dhe në procedurat kirurgjikale. Ato gjithashtu zakonisht janë jashtë patentave dhe shiten me çmimet më të ulëta të mundshme. E shkaktuar nga lufta në Ukrainë, një krizë energjie e paprecedentë në dekada po shpaloset në të gjithë Evropën me afrimin e dimrit.