Kiev/Sunak premton ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën
Kryeministri britanik Rishi Sunak është zotuar të japë 60 milionë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke thënë se vendi i tij do të qëndrojë në krah të Kievit “derisa Ukraina të ketë fituar” luftën me Rusinë.
Sunak u takua të shtunën me Presidentin Volodymyr Zelensky në një vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Ai tha se Britania “do të vazhdojë të qëndrojë me ju... derisa Ukraina të ketë fituar paqen dhe sigurinë që i nevojitet dhe e meriton”. Ai njoftoi një paketë të re të mbrojtjes ajrore me vlerë 60 milionë dollarë, sipas një deklarate të Downing Street. Paketa përfshin "120 armë anti-ajrore, radarë dhe pajisje anti-dronë", tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar. Zelensky, nga ana e tij, vlerësoi një "vizitë kuptimplote dhe të dobishme për të dy vendet" gjatë një konference të përbashkët për shtyp. Ai tha se dyshja diskutoi "mundësitë e mbrojtjes së sigurisë energjetike evropiane dhe ukrainase" dhe "aftësitë tona në mbrojtjen e qiellit të Ukrainës, si dhe bashkëpunimin në mbrojtje në përgjithësi". Në Twitter, Zelensky tha: "Me miq si ju në krah, ne kemi besim në fitoren tonë". Mbretëria e Bashkuar deri tani ka dërguar më shumë se 2.3 miliardë paund ndihmë ushtarake në Kiev.