Amerika ka modifikuar raketat Himars të dorëzuara në Ukrainë
Një media amerikane, duke cituar zyrtarë amerikanë, njoftoi se Uashingtoni kishte modifikuar fshehurazi sistemet e avancuara Himars të dorëzuara në Ukrainë, në mënyrë që ato të mos mund të përdoreshin për të gjuajtur raketa me rreze të gjatë veprimi drejt territorit rus.
Gazeta amerikane Wall Street Journal e njoftoi këtë lajm të hënën dhe shtoi: Që nga qershori, Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës 20 lëshues të sistemit raketor Himars dhe një numër të madh raketash të drejtuara nga satelitët me një rreze veprimi prej afërsisht 50 milje. Këto raketa, të njohura si sisteme raketore me lëshim të shumëfishtë, janë përdorur për të sulmuar depot ruse të municionit, objektet logjistike dhe qendrat e komandës në tokën ukrainase. Kjo media amerikane shtoi: Zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni ka modifikuar lëshuesit në mënyrë që të mos lëshojnë raketa me rreze të gjatë. Wall Street Journal shtoi se manipulimet e pazbuluara më parë tregojnë se administrata Biden është përpjekur për të balancuar mbështetjen e saj për forcat ukrainase kundër rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve me Moskën. Kjo media amerikane deklaroi: Këto veprime tregojnë edhe shqetësimin e zyrtarëve të qeverisë amerikane se partneri i tyre ukrainas mund të mos përmbushë premtimin e tij për të mos sulmuar territorin rus. Ndërkohë, rezervat e raketave anti-tank amerikane Javelin dhe anti-ajrore Stinger janë pakësuar ndjeshëm pasi administrata Biden vazhdon të dërgojë armë në Ukrainë.