Thellohet skandali në Parlamentin Evropian
https://parstoday.ir/sq/news/world-i136556-thellohet_skandali_në_parlamentin_evropian
Kryetarja e Parlamentit të Bashkimit Evropian Roberta Metsola tha sot se skandali i korrupsionit dhe ryshfetit që përfshin disa eurodeputetë, ishte një goditje për demokracinë, ndërsa u zotua të rivendosë besueshmërinë e institucionit.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 15, 2022 19:44 Europe/Tirane
  • Thellohet skandali në Parlamentin Evropian

Kryetarja e Parlamentit të Bashkimit Evropian Roberta Metsola tha sot se skandali i korrupsionit dhe ryshfetit që përfshin disa eurodeputetë, ishte një goditje për demokracinë, ndërsa u zotua të rivendosë besueshmërinë e institucionit.

“Natyrisht, këto procedime penale që përfshijnë Parlamentin janë të dëmshme. Ato janë të dëmshme për demokracinë, për Evropën dhe për gjithçka që ne mbështesim. Besimi, që ka dashur vite për t’u ndërtuar, por vetëm pak çaste për t’u shkatërruar, do të duhet të rindërtohet dhe puna për këtë fillon tani”, tha Metsola. Skandali, i cili filloi të shpaloset publikisht javën e kaluar, ka dëmtuar reputacionin e institucionit të vetëm të BE-së, i përbërë nga zyrtarë të zgjedhur drejtpërdrejt në 27 vendet anëtare. Prokurorët kanë akuzuar katër persona të paidentifikuar për korrupsion, pjesëmarrje në grup kriminal dhe pastrim parash. Mes tyre ishte edhe nënkryetarja e parlamentit evropian, deputetja greke, Eva Kaili. Ligjvënësit votuan me shumicë dërrmuese të martën për t’i dhënë fund mandatit të saj në detyrë. Sipas prokurorëve belgë, hetuesit kanë sekuestruar qindra mijëra euro në shtëpitë e zyrtarëve që dyshohet se kanë marrë ryshfete nga Katari. Anëtarët e Parlamentit Evropian votuan të enjten për të pezulluar qasjen për përfaqësuesit e Katarit pasi vendi i Gjirit dyshohet se ka ofruar “shuma të mëdha parash” dhe “dhurata të konsiderueshme” për eurodeputetët dhe asistentët në një përpjekje për të ndikuar në vendimet evropiane. Ligjvënësit vendosën gjithashtu të ndalojnë të gjithë legjislacionin në pritje që ka të bëjë me Katarin. Parlamenti “dënon, në termat më të fortë, përpjekjet e supozuara të Katarit për të ndikuar mbi anëtarët, ish-anëtarët dhe stafin e Parlamentit Evropian nëpërmjet akteve të korrupsionit, të cilat përbëjnë ndërhyrje serioze të huaja në proceset demokratike të BE-së”, thuhet në draft tekst.