Britania e Madhe përgatit ushtrinë për të drejtuar ambulancat
Britania u ka kërkuar qindra ushtarakëve që të përgatiten për të drejtuar ambulancat përpara një greve mbarëkombëtare nga mjekët britanikë dhe punonjësit e tjerë të kujdesit shëndetësor.
Me grevën që do të zhvillohet të mërkurën, qeveria të hënën vuri në gatishmëri 600 shoferë dhe 150 punonjës logjistikë për të drejtuar autoambulancat. “Do të ketë ndikime te pacientët si rezultat i grevës”, tha ministri i shëndetësisë, Steve Barclay. Ndërsa ambulancat do të dërgohen ende në rastet kërcënuese për jetën, pacientët me kushte më pak serioze këshillohen të shkojnë vetë në spital. Punonjësit e ambulancës nuk i kanë përcaktuar kërkesat e tyre, por drejtuesja e sindikatave UNISON, Christina McAnea, tha se ekzistonte një rrezik që stafi të largohej nga shërbimi për punë më të paguara dhe e quajti qasjen e qeverisë ndaj negociatave "plotësisht të papërshtatshme". “Seriozisht, nuk ka mbetur asnjë besim mes nesh dhe qeverisë”, tha ajo për radion BBC. Britania po përballet me një valë grevash industriale këtë dimër mes inflacionit më të lartë dhe krizës më të keqe të kostos së jetesës në dekada, me greva që kanë dëmtuar Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, rrjetin hekurudhor dhe shërbimin postar dhe aeroportet. Mijëra infermierë britanikë dolën në grevë javën e kaluar për herë të parë në historinë 106-vjeçare të këtij profesioni.