Kina kryen "stërvitje sulmuese" rreth Tajvanit
Kina tha se të dielën kreu një "stërvitje sulmuese" në det dhe hapësirën ajrore pranë Tajvanit në përgjigje të veprimeve provokuese nga Tajvani dhe Uashingtoni.
Sipas Reuters, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës në një deklaratë njoftoi: Kjo është një përgjigje vendimtare ndaj tensioneve të fundit dhe veprimeve provokuese të Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit. Forcat në terren do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Ndërkohë, Tajvani akuzoi Kinën për shkatërrimin e paqes në rajon dhe frikësimin e popullit të Tajvanit. Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se veprimet e Kinës "treguan edhe një herë mentalitetin e Pekinit për t'u përpjekur për të zgjidhur mosmarrëveshjet duke shkatërruar paqen dhe stabilitetin rajonal". Kina e konsideron Tajvanin një pjesë të territorit të saj dhe pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan vizitë që u bë në muajin gusht, ajo rreth ishullit ka zhvilluar stërvitje të shumta. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës të dielën reagoi ashpër ndaj buxhetit ushtarak amerikan për vitin e ardhshëm, i cili ka rritur ndihmën ushtarake për Tajvanin dhe ka shprehur “kundërshtimin e saj të fortë”. Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës beson se shtimi i këtyre ndihmave mund të shkaktojë dëme serioze në paqen dhe stabilitetin e ngushticës së Tajvanit.