Shpërthime të papara në Kiev/Putin: Perëndimi e gënjeu botën
Në kohën kur Kieve ditën e shtunë ka përjetuar shpërthime të papara, presidenti i Rusisë me rastin e Vitit të Ri 2023, deklaroi se Perëndimi e ka gënjyer botën dhe e ka përdorur Ukrainën si mekanizëm për dobësimin dhe ndarjen territoriale të Rusisë.
Vladimir Putin deklaroi: "Për disa vite, elitat perëndimore na siguruan në mënyrë të rreme për qëllimet e tyre paqësore, duke përfshirë zgjidhjen e konfliktit në Donbas, por në fakt ata inkurajuan neo-nazistët të kryenin akte ushtarake dhe të hapura terroriste kundër civilëve në Republikat Popullore të Donbass".
Putin shtoi: "Rusët treguan guximin dhe nderin e tyre dhe mbështetën forcat ruse që marrin pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë. Ne do t'i kapërcejmë të gjitha problemet së bashku dhe do ta shpëtojmë vendin tonë që të mbetet i madh dhe i pavarur".
Ndërkohë disa shpërthime janë raportuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, më 31 dhjetor, teksa sirenat për sulme ajrore janë lëshuar në mbarë vendin. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, përmes një postimi në Telegram, konfirmoi se shpërthimet janë dëgjuar në qytet.
Më pas ai specifikoi se një nga shpërthimet ka ndodhur midis ndërtesave të banimit në qarkun Solomiansk të Kievit. Nuk ka detaje të tjera për shpërthimet, edhe pse ka pasur raportime se mbrojtje ajrore ukrainase është aktivizuar. Sulmet e reja vijnë vetëm një ditë pasi Kievi u godit nga dronët e lëshuar nga Rusia në kryeqytetin ukrainas dhe në qytete të tjera. Sipas Klitschko, Kievi u godit nga shtatë dronë, dy prej të cilëve “u rrëzuan me t’iu afruar kryeqytetit”, ndërkaq pesë të tjerë u penguan teksa po fluturonin mbi qytet.
Nga këto sulme nuk është raportuar për viktima.