Moska i dha fund armëpushimit të vetëshpallur dhe sulmoi Ukrainën
Rusia i ka dhënë fund armëpushimit të njëanshëm që kishte shpallur për të festuar Krishtlindjet sipas kalendarit ortodoks.
Sipas Reuters, mbrëmë Rusia bombardoi zonat në lindje të Ukrainës, duke përfshirë Bakhmutin, gjatë së cilës u vranë të paktën dy civilë. Kremlini njoftoi se Moska do të vazhdojë të sulmojë Ukrainën derisa të fitojë mbi fqinjin e saj. Autoritetet ruse më herët kishin njoftuar se ky armëpushim do të zgjaste vetëm për 36 orë dhe më pas do të vazhdonin luftën deri në humbjen e Ukrainës. Ukraina nga ana e saj e kishte refuzuar këtë armëpushim. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën tha se Rusia po planifikonte një ofensivë të re të madhe. Ndërsa Pentagoni tha se qëllimi i Putinit për të pushtuar territorin ukrainas nuk kishte ndryshuar, edhe pse ushtria e tij vazhdon të marrë goditje.