Zelensky: Dimri ka ngadalësuar përparimin në luftë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli nga Kievi për Forumin Ekonomik Botëror të Davos-it dhe deklaroi se lufta ka vijuar prej muajsh, ndërsa dimri ka ndikuar negativisht duke ngadalësuar përparimin e forcave ukrainase.
“Lufta nuk duket mirë, nuk ka qenë mirë që nga fillimi, dhe në dimër ngadalësohet për shkaqe të njohura të kuptueshme. Të gjithë lodhen – natyra, njerëzit dhe falë Zotit, edhe armiku gjithashtu”, tha ai. Ai foli për luftimet e përditshme në lindje, duke theksuar se përparimi është ngadalësuar. “Ne po qëndrojmë fuqishëm, me vendosmëri. Unë u jam mirënjohës të gjithë luftëtarëve tanë, të gjallëve dhe atyre që kemi humbur për trimërinë e tyre. Është vërtet e vështirë, por edhe brenda kombit jemi të fortë… Jemi të bashkuar, jemi të organizuar, sepse jemi të motivuar, nuk ishim ne që e filluam luftën, por jemi ne që do të duhet ta mbyllim”, shtoi më tej Zelensky. Presidenti ukrainas falënderoi aleatët perëndimorë për mbështetjen e tyre në municione dhe ekonomi, e cila sipas tij do të sigurojë suksesin e Ukrainës në luftë.