Miratimi i rezolutës anti-iraniane në Parlamentin Evropian
Parlamenti Evropian, duke vazhduar të mbajë qëndrime ndërhyrëse në punët e brendshme të Iranit, sot votoi për një plan që vendos emrin e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit në të ashtuquajturën listë "terroriste" të Bashkimit Evropian.
Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se të enjten deputetët e Parlamentit Evropian votuan për atë që ata e quajtën "rezolutën e Parlamentit Evropian për reagimin e Bashkimit Evropian ndaj protestave dhe ekzekutimeve në Iran". Kjo rezolutë kërkon vendosjen e emrit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit në të ashtuquajturën listë "terroriste" të Bashkimit Evropian dhe rritjen e sanksioneve kundër Iranit. Plani për të shtuar emrin e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit në listën e grupeve terroriste u propozua nga Anna Futiga, një ligjvënëse konservatore polake e Parlamentit Evropian.
Veprimi anti-iranian i Parlamentit Evropian është një vazhdim i politikës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili për herë të parë e vendosi një institucion zyrtar ushtarak të një vendi në të ashtuquajturën listë terroriste.
Republika Islamike e Iranit kishte paralajmëruar më parë kundër veprimeve anti-iraniane të Evropës ndaj Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit si një institucion zyrtar ushtarak i një vendi. Ministri i Jashtëm i Iranit, Husejn Amir Abdulahjan, në një bisedë me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kritikoi ashpër qasjen e pamenduar dhe jokorrekte të ligjvënësve evropianë dhe tha: "Ne kemi thënë shumë herë se Garda e Revolucionit Islamik është një institucion zyrtar dhe shtetëror i Iranit dhe luan një rol të rëndësishëm dhe jetik në garantimin e sigurisë kombëtare të Iranit dhe të sigurisë së rajonit, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit".
Husejn Amir Abdulahjan deklaroi se veprimi i Parlamentit Evropian duke akuzuar për terrorizëm këtë institucion që krijon siguri, është një lloj të shtënash në këmbë të vetë Evropës dhe paralajmëroi Parlamentin Evropian për reagimin ligjor dhe të fortë të Parlamentit Islamik të Iranit.
Shefi i diplomacisë iraniane shtoi: "Ata duhet të mendojnë për pasojat negative të sjelljes së tyre emocionale në Evropë dhe të fokusohen në rrugën e diplomacisë, ndërveprimit konstruktiv dhe racional".