Polonia sfidon Gjermaninë për tanket Leopard
Kryeministri polak, Mateush Morawiecki tha se miratimi i Berlinit për dërgimin e tankeve gjermane, Leopard 2 në Ukrainë është i një rëndësie dytësore.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre javën e kaluar gjatë bisedimeve në Gjermani nuk arritën të bindnin Berlinin që t’i sigurojë Ukrainës tanket Leopard, një nga kërkesat kryesore të Kievit teksa përballet me sulmet e vazhdueshme nga forcat ruse. Ndërkohë sipas njoftimeve, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e mbajtur sot në Bruksel miratuan një pako të re ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 500 milionë eurove. Polonia po kërkon që vendet që kanë tanke luftarake të prodhimit gjerman, Leopard t’i dërgojnë në Ukrainë, edhe nëse Gjermania nuk dëshiron t’i dërgojë. “Ne do të kërkojmë miratimin e Gjermanisë, por kjo është një temë dytësore. Edhe nëse nuk e marrim këtë pëlqim, si pjesë e një koalicioni të vogël, ne do t’i dorëzojmë përsëri tanket tona së bashku me prodhime të tjera në Ukrainë. Kushti për ne për momentin është të ndërtojmë të paktën një koalicion të vogël shtetesh dhe për këtë çështje, së bashku me Presidentin polak Duda, zëvendëskryeministrin Blaszczak, po kontaktojmë partnerët tanë në Evropën Perëndimore”, tha kryeministri polak, Morawiecki. Kryeministri polak theksoi komentet e Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila tha se Gjermania nuk do të pengonte nëse Polonia dërgonte tanket gjermane Leopard 2 në Ukrainë. Sipas kryeministrit polak, Gjermania momentalisht ka mbi 350 tanke Leopard aktivë dhe rreth 200 rezervë, dhe shtoi se për këtë arsye Gjermania vërtet mund të ndihmojë Ukrainën.