Moska: Tanket amerikane do të 'digjen' në Ukrainë
Rusia deklaroi se tanket që Shtetet e Bashkuara planifikojnë t'i dërgojnë Ukrainës "do të digjen" në ish-republikën sovjetike, duke e hedhur poshtë këtë veprim dhe duke e cilësuar si një marrëzi të shtrenjtë.
Duke përmbysur qëndrimin e saj të mëparshëm, administrata e presidentit të SHBA Joe Biden zbuloi planet për të dërguar tanke amerikane M1 Abrams, në Ukrainë, pavarësisht shqetësimeve se këto tanke janë mjete shumë të rënda logjistike për forcat ukrainase. Pas disa javësh hezitime, Gjermania gjithashtu më në fund ra dakord të mërkurën për të ofruar tanke Leopard 2 për trupat e Kievit, duke kapërcyer dyshimet për dërgimin e armatimit të rëndë në Ukrainë. Moska, në përgjigje, e denoncoi këtë veprim, duke thënë se ndërsa dërgimi i tankeve Abrams do të ishte humbje parash. "Jam i sigurt se shumë specialistë e kuptojnë absurditetin e kësaj ideje. Ky plan është një skemë mjaft e humbur thjesht për arsye teknologjike dhe, më e rëndësishmja, ai mbivlerëson potencialin që do t'i shtojë ushtrisë ukrainase. Këto tanke do të digjen ashtu si të gjithë të tjerët”, tha të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi. Zhvillimi i fundit vjen pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë se dërgimi i armëve sulmuese në Ukrainë do të çonte në "një katastrofë globale". "Ka pasur shumë deklarata kontradiktore, raporte mediatike e rrjedhje të tjera që vijnë nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara deri më tani. Është e kuptueshme që jo gjithçka është e qetë atje dhe jo gjithçka është aq e qetë në aleancën e Atlantikut të Veriut dhe jo çdo gjë është e qetë me disponueshmërinë e tankeve”, shtoi Peskov.