Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri
Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri ka kaluar 46,000, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për të mbijetuarit e varrosur në rrënoja.
Numri i të vdekurve nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi është 40,642, ndërsa Siria fqinje ka raportuar më shumë se 5,800 të vdekur. Në Turqi, rreth 264,000 apartamente janë shkatërruar dhe shumë janë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë nëpër ndërtesa të rrafshuara me shpresën për të gjetur më shumë të mbijetuar, ndërsa shumë ekipe ndërkombëtare të shpëtimit janë larguar nga zona e madhe e tërmetit. Forcat e shpëtimit të shtunën nxorën të gjallë nga rrënojat tre persona, përfshirë një fëmijë, pasi kaluan 296 orë të bllokuar nën një ndërtesë të shembur në qytetin turk Antakya. Ndërkohë pas-lëkundjet e tërmetit po vazhdojnë. Lëkundje tërmeti me magnitudë 5.1 ballë të shkallës Rihter është shënuar në orët e vona të natës në Turqi. Epiqendra e lëkundjeve ka qenë në lagjen Göksun të Kahramanmaraş, por janë ndjerë edhe në krahinat përreth. Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi për tërmetin e orës 22.31, duke sqaruar se janë pas-lëkundje të tërmetit tragjik të 6 shkurtit, i cili shkaktoi mbi 42 mijë viktima në Turqi dhe Siri. Mediat turke raportojnë se tërmeti me magnitudë 5.1 ballë ka ndodhur në një thellësi prej 6.2 kilometrash.