Kina mohon pretendimin e SHBA për armatosjen e Rusisë
Pekini ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se Kina po shqyrton armatosjen e Rusisë në luftën e saj me Ukrainën, duke i kërkuar Uashingtonit të reflektojë mbi veprimet e veta në vend që të bëjë komente ndërhyrëse.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pretendoi të dielën se Pekini tani po "konsideronte ofrimin e mbështetjes me armë vdekjeprurëse" për Moskën, pothuajse një vit pasi Moska filloi një luftë kundër ish-republikës sovjetike. Kina iu përgjigj me vendosmëri të hënën komenteve të diplomatit të lartë amerikan, duke theksuar se Uashingtoni nuk është në gjendje të bëjë akuza ndaj Kinës, me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin që tha se "Janë Shtetet e Bashkuara dhe jo Kina që po dërgon armë pafund në fushën e betejës në Ukrainë." Duke folur në një konferencë të rregullt për shtyp, zyrtari kinez shtoi: "Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të reflektojnë me zell për veprimet e veta dhe të bëjnë më shumë për të lehtësuar situatën, për të promovuar paqen dhe dialogun dhe për të ndalur zhvendosjen e fajit dhe përhapjen e informacionit të rremë". “Partneriteti gjithëpërfshirës bashkëpunues i Kinës me Rusinë bazohet në principin e mos-angazhimit, moskonfrontimit dhe mosshënjestrimin e palëve të treta dhe është një çështje brenda sovranitetit të dy vendeve të pavarura”, theksoi Wang. “Ne kurrë nuk do të pranojmë që SHBA-ja të drejtojë me gisht marrëdhëniet kino-ruse apo edhe të na detyrojë të rishikojmë këto marrëdhënie”, shtoi ai.