Kombet e Bashkuara kërkuan tërheqjen e menjëhershme të Rusisë nga Ukraina
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me shumicë dërrmuese miratoi një projekt-rezolutë që bën thirrje për tërheqjen e menjëhershme të forcave ruse nga Ukraina.
Mbrëmjen e së enjtes, kjo rezolutë u aprovua nga 141 vende pro, 7 vende kundër dhe 32 abstenime, përfshirë Kinën. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shprehu keqardhje për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe pasojat humanitare të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shprehu shqetësim të thellë për ndikimin negativ të luftës në sigurinë globale të ushqimit, sigurinë dhe garantimin e energjisë dhe ruajtjen e mjedisit. Ajo gjithashtu shprehu nevojën për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sa më shpejt që të jetë e mundur. Rezoluta gjithashtu u bën thirrje palëve që t'u përmbahen angazhimeve të tyre në lidhje me civilët dhe të burgosurit e luftës dhe nëpërmjet hetimeve të drejta dhe të pavarura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të hetojnë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar në tokën ukrainase. Gjatë miratimit të kësaj rezolute, amendamentet e kërkuara nga Bjellorusia, të cilat përfshinin kërkesën për negociata dhe ndalimin e dërgimit të armëve në Kiev, u refuzuan. Minsku gjithashtu propozoi heqjen e dispozitave të dokumentit që e mbajnë Moskën përgjegjëse për fillimin e konfliktit dhe që kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave ruse nga Ukraina, por edhe kjo nuk u bë. Ministri i Jashtëm ukrainas Dimitri Kolba tha: 141 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara votuan pro rezolutës së sotme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thënë qartë se Rusia duhet t'i japë fund agresionit të saj të paligjshëm. Integriteti territorial i Ukrainës duhet të rikthehet. Një vit pasi Rusia nisi një sulm në shkallë të plotë, mbështetja globale për Ukrainën mbetet e fortë.