Takimi i G20 përfundon pa konsensus për luftën në Ukrainë
Ministrat e Financave të Grupit 20 (G20) në një samit dy-ditor në Indi nuk kanë mundur të arrijnë një konsensus se si të përshkruajnë konfliktin në Ukrainë.
Takimi në qendrën indiane të teknologjisë në Bengaluru ka të ngjarë të përfundojë pa një deklaratë të përbashkët të shtunën, duke pasur parasysh faktin se pjesëmarrësit nuk ishin në gjendje të zgjidhnin mosmarrëveshjet mbi këtë çështje, thanë tre delegatë për Reuters. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në grupin e shtatë vendeve të industrializuara (G7) kanë qenë të vendosur në kërkesat që deklarata të dënojë drejtpërdrejt Moskën për "pushtimin" e fqinjit të saj, por një gjuhë e tillë është kundërshtuar nga delegacionet ruse dhe kineze. "Në mungesë të një konsensusi, opsioni për Indinë do të ishte të lëshonte një deklaratë të kryetarit," tha një zyrtar. Rusia, e cila është anëtare e G20, i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një "operacion special ushtarak" dhe nuk e quan atë një pushtim apo luftë. Kina dhe India, të cilat mbajnë presidencën e këtij viti të G20-ës, gjithashtu refuzuan të dënojnë Rusinë, me Nju Delhin kërkoi të shmangë përdorimin e fjalës "luftë" në çdo deklaratë. Megjithatë, vendet perëndimore këmbëngulën se gjuha e përdorur nuk mund të jetë më e dobët se deklarata e lëshuar nga udhëheqësit e G20 në Indonezi nëntorin e kaluar.