Kryeministrja e Estonisë kryeson në zgjedhjet parlamentare
https://parstoday.ir/sq/news/world-i140732-kryeministrja_e_estonisë_kryeson_në_zgjedhjet_parlamentare
Partia e Reformës e kryeministres estoneze Kaja Kallas ka siguruar vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës duke fituar afro 32 për qind të votave.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 06, 2023 04:13 Europe/Tirane
  • Kryeministrja e Estonisë kryeson në zgjedhjet parlamentare

Partia e Reformës e kryeministres estoneze Kaja Kallas ka siguruar vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës duke fituar afro 32 për qind të votave.

Rezultatet me 98 për qind të votave të numëruara, treguan partinë e ekstremit të djathtë EKRE në vendin e dytë, me 16.1 për qind kundrejt 31.5 për qind për grupin liberal të Kaja Kallas, duke reflektuar shqetësimet e disa votuesve për rritjen e kostos së jetesës pas luftës në Ukrainë. Nëse Kallas, 45 vjeçare, arrin të krijojë një koalicion funksional, kjo do të çimentonte drejtimin pro-evropian të vendit baltik. Estonia, një fqinj perëndimor i Rusisë me një popullsi prej 1.3 milionë banorësh, do të qëndrojë gjithashtu në rrugën e duhur për të adoptuar më shumë energji të gjelbër dhe për të vazhduar të pranojë refugjatë nga Ukraina. Kallas tha se zgjedhjet e lanë partinë e saj në një pozicion të fortë për të formuar një qeveri koalicioni. Gjatë gjithë fushatës, partia e ekstremit të djathtë EKRE ka premtuar të ulë faturat e energjisë duke kundërshtuar kalimin në energjinë e gjelbër dhe të ndalojë pranimin e refugjatëve ukrainas të luftës. Kjo parti kritikoi gjithashtu shtrirjen e politikës së Kallas për dërgimin e armëve në Ukrainë, duke thënë se ajo nuk merrte parasysh nevojat e mbrojtjes së vetë vendit.