Shpërthejnë grevat dhe protestat në Greqi
Shumë sektorë në Greqi janë përfshirë sot (e mërkurë) nga një valë grevash e protestash pasi sindikatat po përshkallëzojnë lëvizjet e tyre për aksidentin e trenit në Tempi, me kërkesë kryesore sigurinë e transportit të qytetarëve.
Kryeqyteti Athinë si dhe Selaniku, do të jenë për disa orë pa Mjetet e Shërbimit Publik, mësuesit do të jenë në grevë, nëpunësit e Operatorit Hekurudhor po ashtu, anijet do të jenë të ankoruara në portet e vendit, ndërsa Konfederata e Nëpunësve të Administratës Publike ADEDY ka bërë thirrje për një miting të madh në qendër të Athinës. Në kërkesat e tyre sindikatat që organizojnë grevën kërkojnë që t’i ngarkohen përgjegjësitë reale kujtdo, sado post të lartë të ketë, në mënyrë që krimi i Tempit, siç e karakterizojnë aksidentin hekurudhor me 57 viktima, shumica të rinj, të mos kalojë në harresë dhe që të ndalohet politika e privatizimeve, e cila vendos mbrojtjen e jetës njerëzore në bilanc me fitimin dhe kostot.