Mbi 4 milionë ukrainas janë strehuar në BE brenda një viti
(last modified Wed, 08 Mar 2023 18:48:13 GMT )
Mars 08, 2023 19:48 Europe/Tirane
  • Mbi 4 milionë ukrainas janë strehuar në BE brenda një viti

Një vit pas miratimit të direktivës për strehim të përkohshëm nga Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian deklaroi se brenda kësaj periudhe mbi 4 milionë ukrainas janë vendosur në vendet e BE-së.

Publikimi i të dhënave nga KE u bë një vit pasi nisi lufta në Ukrainë. BE-ja e miratoi këtë direktivë më 4 mars të vitit të kaluar. Sipas saj, ata që ikin nga lufta në Ukrainë nuk duhet të kërkojnë azil politik, apo t’i ndjekin procedurat e rregullta të strehimit të refugjatëve, por mund të regjistrohen menjëherë. Gjithashtu, ata kanë qasje të menjëhershme në asistencë sociale, tregun e punës, shërbime shëndetësore dhe sistem të shkollimit. KE-ja deklaroi se mbi një milion shtetas të Ukrainës, të cilët kanë gjetur strehim në BE, kanë arritur edhe të punësohen, ku një numër i madh kanë kryer edhe trajnime të veçanta, të cilat janë financuar nga programet e BE-së për tu kualifikuar për disa vende pune. Përmes platformës së posaçme “Solidariteti me Ukrainën”, deri më tani BE-ja ka ndarë një ndihmë financiare në vlerë prej 13.6 miliardë eurosh. Ukrainasit janë strehuar nëpër të gjitha vendet e BE-së, por numri më i madh, rreth gjysma e tyre, pra dy milionë, janë strehuar në Gjermani dhe Poloni.

 

Tags