Mars 17, 2023 19:47 Europe/Tirane
  • Francë, demonstrata në qytetet kryesore arrestohen mbi 300 persona

Ministria e Brendshme e Francës tha se 310 persona u arrestuan gjatë trazirave të së enjtes mbrëma në këtë vend që u shkaktuan nga protestat kundër reformave të ligjit të pensioneve të mbështetura nga qeveria.

Place de la Concorde në Paris ishte skena e manifestimeve dhe përleshjeve midis forcave të rendit dhe protestuesve, përpara se kaosi të përhapej në rrugët e afërta, raportoi Le Parisien. Sipas ministrit të Brendshëm francez, Gérard Darmanin, i ftuar sot në mikrofonin e RTL-së, 310 persona u arrestuan gjatë demonstratave të organizuara pas njoftimit të djeshëm të qeverisë për të përdorur nenin 49.3 të Kushtetutës për të miratuar reformën e pensioneve. Demonstrata spontane u zhvilluan në Marsejë, Lille, Nante, Toulouse apo Paris, me qindra mijëra njerëz. Demonstruesit u mblodhën në protestë pasi kryeministrja, Elizabeth Bourne njoftoi më herët sot se qeveria e saj do të zbatonte reformat e pensioneve duke shfrytëzuar një të drejtë kushtetuese pasi qeveria e pakicës që ajo drejton nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga Partia Republikane Konservatore në opozitë. Sipas ligjit të ri, mosha e daljes në pension në Francë do të rritet nga 62 në 64 vjeç. Këto reforma kanë shkaktuar një valë protestash masive në Francë dhe në dy muajt e fundit dhe vendi ka parë shtatë raunde grevash mbarëkombëtare me pjesëmarrjen e miliona protestuesve.

 

Tags