Ukraina: Forcat ruse po bëjnë përparime në qytetin Bakhmut
Ukraina tha se forcat ruse kanë arritur njëfarë suksesi në qytetin e vijës së parë të Bakhmutit, ndërsa luftimet intensive po vazhdojnë prej muajsh midis dy palëve për qytetin minerar në rajonin industrial lindor të Donetskut.
Për disa muajt e fundit, Bakhmut dhe zonat përreth kanë qenë pika qendrore e sulmeve nga Rusia. Asnjëra palë nuk ka kontroll të plotë mbi qytetin dhe të dyja kanë pësuar humbje të mëdha deri më tani. Për Kremlinin, kapja e Bakhmutit është thelbësore për arritjen e qëllimit të tij të deklaruar për të marrë kontrollin e të gjithë Donetskut, një nga katër rajonet ukrainase - së bashku me Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia - që Moska ia aneksoi Federatës Ruse pas referendumeve në shtator të vitit të kaluar. Zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se forcat ruse kishin pasur disa përparime në qytet, duke theksuar megjithatë se luftëtarët e tyre po vazhdonin ende betejën. "Forcat armike patën një shkallë suksesi në veprimet e tyre që synonin qytetin Bakhmut. Mbrojtësit tanë po mbajnë qytetin dhe po zmbrapsin sulme të shumta të armikut," tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase. Të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se çdo fitore ruse në Bakhmut mund të jetë e rrezikshme, duke paralajmëruar se nëse Ukraina nuk e fiton betejën, Rusia mund të fillojë të tërheqë mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që mund të kërkojë që Kievi të bëjë kompromise të papranueshme.