Rusia proteston për “veprimet provokuese” të forcave amerikane në Siri
Rusia ka shprehur protestën e saj kundër “veprimeve provokuese” të forcave amerikane në provincën verilindore të Sirisë, Hasakah, ku ato janë vendosur prej disa vitesh.
Kundëradmirali Oleg Gurinov, zëvendësshefi i Qendrës Ruse për Pajtimin në Siri, i bëri komentet të premten, duke thënë se protesta i është dërguar koalicionit të udhëhequr nga SHBA në Siri për veprimet e forcave amerikane në krahinën e pasur me naftë. Ai tha se forcat ruse kishin pikasur dy herë trupat amerikane në zona që ndodheshin jashtë zonave të tyre të operimit të rëna dakord, por pa dhënë detaje për kohën. "Veprime provokuese nga ana e njësive të forcave të armatosura të SHBA-së janë vërejtur në provincën Hasakah ... pala ruse bëri një protestë ndaj koalicionit," tha Gurinov i cituar nga agjencia ruse e lajmeve TASS. “Gjatë patrullimeve të përbashkëta ruso-turke, lëvizja e dy patrullave nga i ashtuquajturi koalicion anti-terrorist u vërejt përgjatë rrugëve jo konfliktuale pranë Deiruna-Aga dhe Saramsak. Pala ruse ka protestuar ndaj koalicionit”, shtoi ai. Gurinov më tej theksoi se shkelja e marrëveshjeve për reduktimin e tensioneve nga koalicioni rrezikon balancën e brishtë të fuqisë në rajon, duke shtuar se ky veprim do të ketë ndikim negativ edhe në zhvillimin e situatës.