Macron ndez polemika në radhët e BE-së
Deklaratat e fundit të Presidentit të Francës Emmanuel Macron në lidhje me sovranitetin e Kinës mbi ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit dhe nocionin se të qenit aleat i SHBA-së nuk do të thotë të jesh një "vasal", kanë ndezur polemika midis radhëve të unionit 27-vendesh.
Në komentet e së enjtes, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius kritikoi paralajmërimin e Macron kundër Evropës si një "vasal" i Shteteve të Bashkuara. “Është për të ardhur keq ky koment, por mendoj se Pallati Elysee e ka korrigjuar disi”, ka thënë Pistorius duke shtuar: “Ne kurrë nuk kemi qenë në rrezik të bëhemi apo të jemi vasalë të Shteteve të Bashkuara”. Të enjten, kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki akuzoi gjithashtu evropianët për një gabim potencialisht historik pasi kërkojnë lidhje më të mëdha me Kinën. “Me këtë pikëpamje dritëshkurtër ata shikojnë nga Kina që të jetë në gjendje të shesin më shumë produkte të BE-së atje me kosto të mëdha gjeopolitike, duke na bërë më të varur nga Kina”, tha kryeministri polak gjatë një vizite në Uashington. “Nuk mund ta mbroni Ukrainën sot dhe nesër duke thënë se Tajvani nuk është puna juaj”, tha ai, duke perifrazuar Macron-in pa e përmendur emrin e tij. "Unë mendoj se, Zoti na ruajt, nëse Ukraina bie, nëse Ukraina pushtohet, të nesërmen Kina mund të sulmojë Tajvanin," tha ai. Duke aluduar në komentet e Macron për një rend më shumëpolar, Morawiecki u tall. "Autonomia evropiane tingëllon e bukur, apo jo? Por kjo do të thotë zhvendosje e qendrës së gravitetit evropian drejt Kinës dhe shkëputje e lidhjeve me SHBA," tha ai. "Unë nuk e kuptoj plotësisht konceptin e autonomisë strategjike nëse do të thotë të qëllojmë de fakto në gjurin tonë." "Disa vende evropiane po përpiqen të bëjnë të njëjtin gabim që u bë me Rusinë, këtë gabim dramatik të varësisë", tha ai. Në fundjavë në një intervistë, presidenti francez tha se Evropa nuk duhet të jetë një "ndjekëse" as e Uashingtonit, as e Pekinit, dhe nuk duhet të përfshihet në ndonjë përshkallëzim mbi Tajvanin. Ai u qëndroi komenteve të tij të mërkurën në një vizitë në Amsterdam. “Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal... nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të mendojmë vetë”, tha të mërkurën Macron në një konferencë shtypi në Amsterdam me kryeministrin holandez Mark Rutte. Presidenti francez tha se vendi i tij ende mbështet "status quo" në ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit. Rutte, nga ana e tij, tha se ishte dakord me Macron se Evropa "duhet të jetë një lojtar dhe jo një fushë loje".